Coronavirusi i përhapur në mbarë botën detyron institucione e klube sportive të ndërmarrin masa drastike në aspektin financiar.
Në Evropë tashmë disa klube futbolli kanë vendosur te pezullojnë apo reduktojnë pagat e punonjësve të tyre duke përfshirë lojtarët e stafin teknik, një shembull duket se do ta ndjekin edhe drejtuesit e NBA.
Sipas rrjetit amerikan ESPN, Liga amerikane e basketbollit u ka dërguar një promemorie secilës prej skuadrave teksa citon një klauzolë që është përfshirë në kontratën kolektive të nënshkruar me Shoqatën e Basketbollistëve. Në këtë klauzolë theksojse pronarët kanë të drejtë t’u mbajnë lojtarëve 1% të pagës për cdo ndeshje të pezulluar për shkaqe madhore dhe në këtë klauzolë përmenden edhe fjalët epidemi/pandemi.
Kampionati i NBA është i pezulluar që nga 11 marsi dhe deri tani janë shënuar 11 raste me coronavirus mes të cilëve figuron edhe emri i Kevin Durant. Në kampionatin amerikan të basketbollit, lojtarët e marrin pagën mujore të ndarë në dy pjesë. Pjesën e parë e marrin në datën 1 dhe të dytën në 15 të cdo muaji.
Gjithnjë sipas ESPN, basketbollistëve iu është garantuar paga e plotë e datës 1 prill, por duke nisur nga 15 prilli kjo mund të mos ndodhë dhe pronarët të mbajnë kuotën e përcaktuar në klauzolë prej 1% për cdo ndeshje që nuk është luajtur.