Pronari i rrjetit social Twitter, Elon Musk, ka thënë të dielën se po mendon ta ndryshojë logon e platformës, duke shkruar: “Së shpejti do t’i themi lamtumirë markës Twitter dhe gradualisht, të gjithë zogjve”.
Në një postim në Twitter, miliarderi ka shkuar: “Nëse një logo mjaftueshëm e mirë me X publikohet sonte, do ta përdorim në mbarë botën që nesër”.
Musk ka publikuar një pamje të një iksi duke ndriçuar, dhe më pas në një audiobisedë në Twitter Spaces është përgjigjur me “po”, kur është pyetur nëse logoja e Twitter-it do të ndryshojë.
— Elon Musk (@elonmusk) July 23, 2023
“Kjo është dashur të ndodhë shumë kohë më parë”, është shprehur ai, raporton Reuters.
Nën udhëheqjen e trazuar të Muskut, që kur e bleu Twitter-in në tetorin e vitit të kaluar, kompania e ka ndryshuar emrin e biznesit në X Corp, duke pasqyruar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion”, sikurse WeChat i Kinës.
Kompania është përballur me kritika të gjera nga përdoruesit dhe nga profesionistët e marketingut, kur Musk njoftoi në fillim të këtij muaji se Twitter do të kufizonte se sa “cicërima” në ditë do të mund t’i lexonin përdoruesit.