Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht me detaje se si ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, tash anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka qenë cak i kanosjes nga një qytetar. Ai e raportoi rastin sot në Polici, teksa i dyshuari është shpallur në kërkim policor.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se personi që po dyshohet se kërcënoi Bahtirin është Saim Xhafa. Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari po pretendon se gjatë kohës kur Bahtiri ishte kryetar i komunës, ia kishin rrënuar objektin ku ai punonte dhe siguronte “bukën e gojës”
Në mesazhet kërcënuese që ka pranuar, Bahtiri është parlajmëruar nga i dyshuari se do ta pësojë keq për shkak se sipas tij i njëjti kishte planifikuar ta vrasë.
Këto dhe dëshmi të tjera, Bahtiri i ka dërguar në Polici me rastin e denoncimit, që do të përdoren si prova gjatë procesit të hetimit që do të zhvillohet nga Prokuroria.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit, i cili akoma nuk është kapur dhe pasi të sigurohet prezenca e tij, do të ndërmerrn veprimet e tjera hetimore.
Gazeta Sinjali e ka kontaktuar edhë Bahtirin, por i njëjti nuk ka dhënë shumë detaje, duke thënë se këtë punë ia ka lënë Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.