image Mjekja që ishte ndër personat e parë të prekur me COVID-19 në Kosovë tregon për sfidat e saj

Shëndetësi

Mjekja që ishte ndër personat e parë të prekur me COVID-19 në Kosovë tregon për sfidat e saj

news image

Neuropsikiatrja, Valbona Tafilaj ka treguar për fazën e shërimit pasi ishte njëra ndër personat e parë që ishte e infektuar me koronavirus, në Kosovë.

Tafilaj tha se shërimi i saj ka zgjatur plotë 30 ditë dhe se gjatë gjithë kohës ka qenë e mbyllur në dhomën e repartit të Klinikës Infektivës në QKUK.

“Kam qenë një ndër të parat e infektuara në Kosovë. Diku njëra ndër të 20-të të infektuarit. Për mu nuk ka qenë lajm i mirë, dhe sigurisht për virusin nuk dinte askush asgjë. Si doktoreshë menjëherë filluan mendimet e ndryshme se ç’mund të bëj virusi. Jam hospitalizuar në Klinikën Infektive për 30 ditë sa dhe është dashur të trajtohej sëmundja ime. Ka dal shumë herë testi pozitiv dhe sigurisht dhe unë kam pas emocionet e mia dhe kam qajt, e ka ndodh infermieri i ka vesh rrobat dhe ka ardhur tek unë e më ka thënë ‘doktoreshë vetëm po du me nejt me ty, që të qetësohesh’. 30 ditë s’kam dal fare nga dhoma, 23 ditë as derën e ballkonit se kam hap. I lus qytetarët që sa më pak njerëz të sillen rreth spitaleve.  Përkundrazi më shumë ia rëndojmë dhe anën psiqike të pacientëve. Familjen time nuk i kam takuar fare “, tha Tafilaj.

Ajo tutje shtoi se edhe pse ka qenë shumë mirë me shëndet para se të infektohej me koronavirus, asaj iu paraqitën shumë probleme të reja si diarre, frymëmarrja, kokë dhembje me vjellje, etj.

“Kam pas probleme me diarre, me frymëmarrjen, kolli s’më është ndalur fare. S’kam pas probleme kronike, por gjatë kësaj kohe kam pas probleme me tensionin dhe probleme tjera shoqëruese që unë si kam pas fare. Kam pas lodhje dhimbje të muskujve, kokë dhembje me vjellje e cila ka qenë e çuditshme edhe për mu edhe për stafin”, ka thënë ajo. /Gazeta Sinjali/