Mjekja shqiptare, Migena Qato ka bërë një apel të fortë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, që të jenë të kujdesëshëm ndaj COVID-19.
Pëmes një videoje ku shfaqet e maskuar, Qato ka theksuar se po përballemi me përmasa të pandemisë që nuk ishim përballur më parë.
Më tej, ajo deklaron se numri i rasteve të të prekurve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa thotë se tani për fat të keq dominojnë edhe mosha të reja.
“Po përballemi me një pandemi të përmasave, që kurrë më parë nuk ishim përballur. Ditët e fundit kanë qenë jo të lehta për ne, pasi numri i rasteve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm kaq. Tani dominojnë për fat të keq edhe mosha të reja, të cilat kanë qenë të paprekura nga sëmundje të tjera më parë. Ndaj apeli shkon që të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë distancën sociale, sepse tani COVID nuk ka më preference në moshë, nuk po e kursen asnjë subjekt të popullatës. Ndaj jeni të kujdesshëm, mbroni veten tuaj dhe të afërmit”, shprehet mjekja.
Mesazhi i saj është shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, e cila po ashtu ju bën thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat kundër koronavirusit. /Gazeta Sinjali