Ministria e Punëve të Brendshme përmes një “sqarimi” për media gjatë ditës së djeshme tentoi të mbulojë gënjeshtrën e zëvendësministrit të saj, Zafir Berisha dhe të sqarojë “pasaktësinë” e Gazetës Sinjali, lidhur me kërcënimin që iu bë zv/ministrit të saj.
“Ministria e Punëve të Brendshme, konfirmon se nuk është e vërtetë që është kërcënuar zëvendësministri Ildiray Bayram, siç përmendet me emër dhe i është publikuar fotografia në portalin në fjalë. MPB mund të konfirmojë se zëvendësministri i MPB-së që është kërcënuar dhe ka hapur rast në polici, është z. Zafir Berisha”, thuhet në sqarimin e MPB-së.
Por si qëndron e vërteta?
Gazeta Sinjali dje mori informacion se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit koordinatori kombëtar për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, është kërcënuar më 25 nëntor rreth orës 12:54 nga një person përmes rrjeteve sociale dhe se rastin e ka raportuar në Policinë e Rajonit të Prizrenit.
Për ta konfirmuar një gjë të tillë, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Berishën dje në orën 07:56 të mëngjesit, por i përgjumur zëvendësministri i MPB-së ka refuzuar të përgjigjej, me arsyetimin se është shumë herët, ani pse në atë kohë ai do të duhej të ishte në zyrë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar sërish me Berishën edhe në rrjetin social “Viber” për të marrë një konfirmim nga ai, por një gjë e tillë është mohuar përsëri, duke aluduar me përgjigjen e tij se viktima e kanosjes është zëvendësministri tjetër i MPB-së nga Prizreni, Ildiray Bayram.
“Nuk është e vërtetë”, është përgjigjur Berisha, në pyetjen se a është e vërtetë që ai është kërcënuar dje dhe se rastin e ka raportuar në polici.
Në pamundësi që të marrë konfirmimin e Bayram, Gazeta Sinjali ka besuar dhe nuk e ka vënë në dyshim përgjigjen e Zafir Berishës, për shkak të pozitës së tij dhe përgjegjësisë që mbart me vete kjo pozitë.
Përkundër gënjeshtrës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Zafir Berisha, Gazeta Sinjali, i kërkon falje zv/ministrit, Ildiray Bayram, për përmendjen e emrit dhe përdorimin e fotografisë së tij në lajm.
Po ashtu, Gazeta Sinjali kërkon nga zv/ministri Zafir Berisha t’i kërkojë falje publike kolegut të tij, Ildiray Bayram, personave që mund të jenë shqetësuar nga ky lajm dhe të gjithë lexuesve të Gazetës Sinjali./Gazeta Sinjali/