image Ministria e Kulturës shpejton t'i punësojë disa zyrtarë përnjëherë

Kosovë

MKRS/ Ministria e Kulturës shpejton t’i punësojë disa zyrtarë përnjëherë

news image

Caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, si duket ka bërë që disa ministri të shpejtojnë për të punësuar zyrtarë para se të lënë mandatin.

Konkurse të tilla ka shpallur edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në një konkurs të shpallur sot, MKRS kërkon t’i punësojë hiç më pak se 4 zyrtarë përnjëherë, shkruan Sinjali.

Ministria e udhëhequr nga Kujtim Gashi i PDK-së kërkon një Zyrtar/e të Lartë të Promovimit, dy zyrtarë të lartë ligjorë dhe një Zyrtar/e për Arkiv.

Në konkursin që do të qëndrojë i hapur për 15 ditë, përshkruhen dhjetëra detyra që duhet t’i kryejnë ata që do të pranohen në punë. Megjithatë, në njoftimin për hapjen e konkursit, ministria e ka lënë pë pacaktuar kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës.

Zyrtari i Lartë i Promovimit, në mesin e detyrave të përcaktuara, do “të ofrojë këshilla për stafin e nivelit më të ulët brenda njësisë organizative për ekzekutimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, si dhe do të “ofrojë këshilla në fushën e ekpertizës të kërkuar brenda institucionit”.

Në fund të konkursit, MKRS parashikon numër të madh të njerëzve që do të aplikojnë për këto 4 pozita. Sipas konkursit, nga ministria do të kontaktohen vetëm personat që zgjidhen në listën e ngushtë.

Dy ditë më parë (të hënën), ministria e Gashit kishte shpallur një tjetër konkurs. Në të kërkoheshin dy zyrtarë të Personelit. Edhe për këto dy pozita , ministria nuk e kishte përcaktuar kohëzgjatjen e punës.

Përveç Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Integrimit Evropian kanë shpallur konkurse e kanë punësuar njerëz edhe pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Ministria e udhëhequr nga Uran Ismaili ditë më parë e kishte punësuar një zyrtare për menagjimin e projekteve si dhe kishte shpallue konkurse tjera, me të cilat kërkonte të punësonte edhe disa zyrtarë të tjerë.

Ndërkaq Ministria e Integrimit Evropian para disa ditësh zgjodhi ta punësonte aktivisten e PDK-së në Skenderaj, Valentina Hamzën, si udhëheqëse të Divizionit për Teknologji Informative dhe Logjistikë.

Sinjali ditëve në vijim do të raportojë për zhvillimet, punësimet e tenderët e fundit të të gjitha ministrive pas shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. /Sinjali/