image Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në Superligë, reagon MKRS-ja

Futboll

Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në Superligë, reagon MKRS-ja

news image

Media franceze “Le Figaro”, dje raportoi për një skandal ky dyshohet për kurdisje të ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës.

Ndërkaq, gazeta e madhe franceze, “Le Parisien”, ka shkruar të enjten mbrëma se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar edhe skuadra KF Llapi ku thotë se të gjitha pretendimet janë të pavërteta.

Edhe Këshilli për Sport në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar, thotë se me kërkesën e tyre, “prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media”.

“Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, ka thënë Besim Kelmendi, kryetar i Këshillit për Sport në kuadër të MKRS-së.

Kelmendi theksoi se Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, “ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit”.

/GazetaSinjali/