image Aktivistja e PDK-së gjen punë në ministrinë e Hoxhës

Kosovë

Zgjedhjet/ Aktivistja e PDK-së gjen punë në ministrinë e Hoxhës

news image

Ministria e Integrimit Evropian, e udhëhequr nga Dhurata Hoxha e PDK-së, së fundi ka vendosur ta punësojë në këtë ministri një aktiviste të Partisë Demokratike të Kosovës.

Një muaj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, që nënkuptonte edhe rënien e qeverisë, kjo ministri e ka shpallur aktivisten Valentina Hamza si kandidaten më të suksesshme në konkursin për pozitën Udhëheqës/e i/e Divizionit për Teknologji Informative dhe Logjistikë.

Aktivistja nga Klina e Skenderajt, Valentina Hamza, përveç që i shërben PDK-së si aktiviste, ka një afërsi edhe me deputeten në largim të kësaj partie, Ganimete Musliun, shkruan Sinjali.

Ato shihen bashkë në jo pak fotografi në Facebook.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ish-deputeten Ganimete Musliu për ta pyetur se cila është lidhja e saj me zyrtaren më të re të Ministrisë së Integrimit Evropian.

Musliu ka thënë se Komuna e Skenderajt është lidhja e vetme mes tyre.

“Lidhja e vetme e imja me Valentia Hamzën është Komuna e Skenderajt, që dmth jemi të dyjat banore të asaj komune – unë nga fshati Baks, ajo nga fshati Klinë”, ka thënë Musliu.

Punësimet në ministri i ka shpeshtuar edhe Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga një tjetër anëtar i PDK-së, Uran Ismaili.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të punësojë një grua si Zyrtare e Lartë për Menaxhimin e Projekteve.

Konkursi për këtë pozitë pune ishte shpallur më 19 korrik, ditën kur kryeministri në largim, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i shefit të qeverisë.

Dorëheqja e Haradinajt, që nënkuptonte edhe rënien e qeverisë, nuk i ka zbrapsur këto dy ministri që të punësojnë njerëz të cilët do të mund t’i marrin qoftë edhe 2-3 paga nga buxheti i shtetit deri në fund të mandatit.

Përveç kësaj zyrtareje, Ministria e Shëndetësisë që nga dorëheqja e Haradinajt ka shpallur edhe konkurse të tjera, ku kërkon të punësojë edhe disa zyrtarë/e. /Sinjali