image Ministria e Industrisë: Disa operatorë mashtruan me çmime, i zbrazën raftet me qëllim

Kosovë

Ministria e Industrisë: Disa operatorë mashtruan me çmime, i zbrazën raftet me qëllim

news image

Pas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në vend ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), të cilët kanë bërë të ditur se kanë inspektuar operatorët ekonomikë.

Kjo ministri ka treguar se inspektimet i kanë bërë për ngritjen e çmimeve të vajit, miellit, sheqerit e produkteve të tjera.

Sipas tyre, deri më tani disa operatorë kanë mashtruar konsumatorët duke i zbrazur raftet e vajit ushqimor, për të krijuar përshtypjen se ka mungesë, kurse më pas i kanë rikthyer me çmim prej 3.49 euro për litër.

“Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

“MINT fton qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm. Qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë”, thuhet në komunikatë.

/GazetaSinjali/