image Mijëra jetë përfunduan tragjikisht nëpër rrugët e Kosovës

Kosovë

Alarmante/ Mijëra jetë përfunduan tragjikisht nëpër rrugët e Kosovës

news image

Mbi 120 persona mesatarisht humbin jetën në trafik gjatë një viti në Kosovë. Sipas statistikave të policisë numri i aksidenteve me fatalitet vazhdon të mbetet i lartë.

Ndërkaq  sot në ditën botërore të viktimave të trafikut u kërkua vetëdijesim më i madh i qytetarëve në trafik, pasi që pasojat janë alamrante.

Nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit nga Policia e Kosovës, theksoi se 2523 persona kanë vdekur që nga pas lufta në trafikun rrugor, ndërsa këtë vit është ul shkalla e vdekshmërisë krahasur me vitin e kaluar.

Gjatë periudhës gati nëntë vjeçare, prej vitit 2011 deri në tetor të 2019 në Kosovë janë regjistruar 1,121 të vdekur në gjithsej 978 raste të aksidenteve fatale që kanë ndodhur nëpër rrugët e vendit, ka njoftuar për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës.

Vetëm gjatë periudhës janar – tetor të këtij viti në Kosovë kanë humbur jetën 92 persona në trafik në 79 raste me aksidente fatale ndërkohë që periudha e statistikave vjetore nuk është përmbyllur ende.

Gjatë vitit 2018 kanë humbur jetën në trafik 129 persona ndërsa shifra më e lartë ishte në vitin 2017 ku ishin regjistruar 137 persona të vdekur.

2011-ta ka qenë viti kur ishte regjistruar numri më i madh i viktimave në trafik, 157 qytetarë. Në vitet në vijim ky numër kishte shënuar rënie të lehtë deri në vitin 2017 kur numri i të vdekurve në trafik kishte shënuar sërish rritje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se numëri më i madh i aksidenteve ka ndodhur në rajonin e Prishtinës.

“Në bazë të zonave, rreth gjysma e aksidenteve janë shënuar brenda qyteteve mbi 50 %, pastaj rreth 23% në magjistrale, rreth 10% në rrugë rajonale-lokale etj”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Sinjali.

Shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë: manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia), mos mbajtja e distancës, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve te rrugës/klimatike, kyçje e pasigurt në rrugë etj.

Përderisa numri i aksidenteve në trafik ka rënë, në anën tjetër është rritur numri i gjobave të shqiptuara ndaj kundërvajtësve si rrjedhojë e ashpërsimit të masave ndëshkuese të policisë në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë në trafik.

Gjatë vitit 2018 janë shqiptuar 400,095 gjoba, në 2017 policia ka ndëshkuar 396,924 kundërvajtës ndërsa në 2016 kishte shqiptuar gjithsej 326,515 tiketa trafiku.

Ndërsa në periudhën e papërmbylur vjetore prej janarit deri në tetor të këtij viti janë shqiptuar 13,206. Për periudhën gati 9 vjeçare 2011 deri në tetor 2018 janë shqiptuar mbi 2 milionë e 920 mijë tiketa. Ndërsa numri i përgjithshëm i aksidenteve me të vdekur, të lënduar dhe dëme materiale gjatë këtyre viteve ka qenë rreth 158 mijë. /Gazeta Sinjali/