image Mësimdhënësit paralajmërojnë bllokim të sistemit arsimor e greva në janar

Arsim

Mësimdhënësit paralajmërojnë bllokim të sistemit arsimor e greva në janar

news image

Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës me kërkesën për implementimin e Ligjit për Paga. Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, i cili ka paralajmëruar grevë në sistemin arsimor nëse nuk implementohet ky Ligj deri në janar të vitit të ardhshëm.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari ka paralajmëruar bllokim të sistemit arsimor nëse nuk implementohet Ligji i Pagave deri në janar të vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se nëse kërkesa e tyre nuk do të pranohet, atëherë gjatë vitit të ardhshëm do të hyjnë në grevë.

“Ne jemi duke u përgatitur për dialog, por nëse dialogu mungon, nëse siç e tha i nderuari doktor Syla, Ligji nuk punohet bashkë me sindikatat e të filloj në janar së implementuari, atëherë sistemi arsimor do të jetë i tëri i bllokuar dhe do të kemi greva dhe do të kemi humbje orësh, për tërë këto ne nuk jemi fajtor”, ka deklaruar ai.

Jashari i ka kërkuar qeverisë që të diskutoj me ta, pasi siç ka thënë, sheshi do të jetë i mbushur plotë me protestues.

“Kam ardh këtu që të sjell mesazhin e mijërave punëtorëve të arsimit të cilët i bashkëngjiten me shpirt e zemër kësaj proteste dhe kam ardh t’i them qeverisë që ta dëgjojë këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësor, të cilët koha i kthej në hero, sepse ata po luftojnë dhe kanë luftuar kundër vdekjes për të shpëtuar jetë. E lus qeverinë që të bashkohet dhe të flas me ne në mënyrë që ky shesh të mos jetë plot njerëz, në mënyrë që sistemit arsimor mos t’i kthehet greva trejavore”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë se Qeveria po punon në mënyrë të fshehtë.

Ai është shprehur se nëse deri në fund të këtij viti nuk procedohet Ligji për Paga, atëherë kjo protestë do të kthehet në reagime më të ashpra sindikale.

“Ne siç po e shihni sot jemi mbledhur përsëri këtu para Qeverisë që t’i shpalosim hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën e vetme që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Ne sot kemi dal t’i themi stop kësaj jotransparence dhe kemi dal t’i lajmërojmë se nëse jo ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë tani më do të kthehet edhe në reagime më të ashpra sindikale. Unë kam nderin dhe kënaqësinë se nuk do ta përfundoj me kaq”, ka deklaruar ai./GazetaSinjali/