Sonte, rreth orës 16:30 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Kolegjin “Tempulli” dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit, ka mbyllur javën botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, shkruan Gazeta Sinjali.
Për nder të 68 personave që humbën jetën në trafikun rrugor, u ndezën 68 qirinj dhe u lëshuan në qiell 68 balona të zinj.
Gjatë kësaj jave, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet u vendos një veturë e aksidentuar, e dëmtuar rëndë, e cila u rrethua me shirita të sigurisë.
“Policia e Kosovës është fuqishëm e përfshirë në aktivitetet dhe fushatat e ndërgjegjësimit lidhur me sigurinë rrugore, me qëllim vetëdijësimin e pjesëmarrësve në trafik për rrezikun dhe pasojat që mund të shkaktohen nga sjelljet e papërgjegjshme”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia vlerëson se vetëm duke respektuar rregullat e trafikut dhe duke u përqendruar, mund të zvogëlohet numri i viktimave në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës jo vetëm tani, por në vazhdimësi do të punojë me përkushtim, bazuar në ligjet e aplikueshme në vend për ofrimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë, përfshirë këtu edhe masat e parapara ligjore në funksion të menaxhimit dhe kontrollit sa më efikas në trafikun rrugor”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/