Gazetarë dhe aktivistë kanë njoftuar se do t’i bashkohen nesër protestës që do të organizohet përpara Parlamentit kundër paketës antishpifje të propozuar nga Qeveria e Edi Ramës.
Protesta do të nisë në orën 09:30, rreth 30 minuta përpara se në Kuvend të fillojë seanca plenare, ku në rendin e ditës është parashikuar edhe kalimi i kësaj pakete.
Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë këtë paketë me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon Qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.
Siç parashikohet në paketë, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. Ndërkohë, kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë./Gazeta Sinjali/