image Me gjithë skandalet në testim, Policia e Kosovës gradon 127 togerë

Siguri

Me gjithë skandalet në testim, Policia e Kosovës gradon 127 togerë

news image

Policia e Kosovës, pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve, ka graduar 127 togerë, shkruan Gazeta Sinjali.

Për ta fituar këtë gradë, togerët e rinj ishin testuar më 4 dhe 5 shkurt të këtij viti.

Ky testim me shkrim, i cili u organizua në drejtorinë qendrore të Policisë, sado që pritej të zhvillohej nën masa sigurie që do të duhej të pamundësonin kopjimin, fotografimin dhe shpërndarjen e këtij testi, një gjë e tillë rezultoi pa sukses.

Gazeta Sinjali pati raportuar për skandalin e rrjedhjes së këtij testi.

Madje, burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se për këtë skandal është zhvilluar procedurë hetimore dhe tashmë ka një raport nga Prokurori i Shtetit lidhur me këtë. 

Informacioni që posedon Gazeta Sinjali është se prokurori që ka hetuar për elemente të mundshme të veprës penale, ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, mirëpo procesi i testimit tashmë është kompromituar dhe kredibiliteti i vlerësimit është dëmtuar, gjë që shpie në anulimin e këtij procesi.

Sidoqoftë, policia nuk i përfilli konstatimet e prokurorit për anulimin e këtij procesi, duke i graduar sot 127 togerët e rinj.

Gazeta Sinjali ka dërguar disa herë pyetje në adresë të Policisë së Kosovës për këtë rast, por asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje.

Pas njoftimit të policisë për gradimin e togerëve të rinj, Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë edhe me drejtorin në detyrë të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin./Gazeta Sinjali/