Kanë përfunduar dy ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli ka fituar me rezultat 3-1 si mysafir ndaj Benficas, duke hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales, shkruan Sinjali Sport.
Sfidën e hapi mbrojtësi i Liverpool, Ibrahima Konate i cili realizoi me kokë pas asistimit nga Andy Robertson në minutën e 17-të, për ta dyfishuar më pas Sadio Mane në minutën e 34-të.
Teksa pjesa e parë u mbyll me rezultat 2-0 në të mirë të “Të Kuqve”, Benfica u zgjua nga gjumi duke realizuar në fillim të pjesës së dytë nga uruguajani Darwin Nunez në minutën e 49-të.
Goli i “nokautit” për këtë sfidë erdhi nga anësori i Liverpool, Luis Diaz i cili realizoi në minutën e 87-të, për t’ia siguruar klubit një fitore të madhe që i çon me një këmbë në gjysmëfinale, duke e ditur që ndeshja e ardhshme zhvillohet në Anfield.
Ndërkohë në duelin tjetër, Manchester City ka fituar duelin ndaj Atletico Madridin me rezultat minimal 1-0.
Spanjollët të cilët u përpoqën që të mbrohen për 90 minuta duke shpresuar të mos pësojnë gol, megjithatë kjo nuk iu realizua.
Rezistencës së madrilenëve i erdhi fundi në minutën e 70-të, kur Kevin De Bruyne realizoi pas një asistimi nga Phil Foden i cili sapo hyri në lojë.
Ky ishte goli i vetëm i realizuar në sfidën e parë çerekfinale mes dy ekipeve, teksa lë të hapur gjithçka në ndeshjen e dytë e cila zhvillohet në Spanjë.