image Mbledhja e dy komisioneve, diskutohet për dialogun dhe procesin e anëtarësimit në NATO

Politikë

Mbledhja e dy komisioneve, diskutohet për dialogun dhe procesin e anëtarësimit në NATO

news image

Deputetët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe atë për Siguri dhe Mbrojtje kanë shprehur shqetësimin e tyre për sulmet që po i bëhen Policisë së Kosovës në veri të vendit. Deputetët e dy komisioneve kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procesin e punës me pesë vendet mosnjohëse, atë të anëtarësimit në NATO dhe forcimin e FSK-së dhe kapaciteteve të sigurisë në vend.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi ka thënë se ekziston një alarm pozitiv prej vendeve anëtarë të NATO-s për një vështrim ndryshe ndaj Ballkanit Perëndimor.

 “Është një alarm pozitiv prej anëtarëve të NATO-s për një vështrim ndryshe ndaj Ballkanit Perëndimor dhe kjo nuk është çështje e përfitimit të poenave politik por është çështje e përfitimit të situatës në të cilën jemi dhe mendoj që pozitë dhe opozitë, të gjitha institucionet duhet të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj situate të re, mendoj që është situatë krejtësisht e re e cila na mundëson një angazhim. E dyta, duhet të bëjë një korrektim të vogël, kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme qysh në ditën e dytë të sulmeve kanë thënë që ka qenë fatmirësi që policët tanë kanë qenë në automjete të blinduara, rrjedhimisht nuk janë lënduar, nuk ka qenë zvogëlim i problemit, ka qenë një reflektim real i sulmeve që janë bërë pa dashur të vënë në panik edhe të tensionojnë situatën”, ka thënë Abazi.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se nuk mund të shpresohet për anëtarësim në NATO pa një epilog të marrëveshjes me Serbinë.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka theksuar se deklaratat e delegacionit amerikan dje në Kosovë duhet të merren seriozisht.

 “Një ndër obligimet e para për të krijuar një parakusht për anëtarësim në NATO është fqinjësia e mirë apo zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Ne me të gjithë fqinjët i kemi raportet e mira përveç me fqinjin tonë me Serbinë dhe nuk mundemi me pas aq shpresa të mëdha se ne mundemi të pretendojmë të jemi anëtar i NATO-s nëse nuk arrijmë deri të epilogu në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po e rikujtoj edhe qëndrimin e fundit të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e theksuan dje në takim me autoritetet e Kosovës se status quo është në dobi vetëm të politikave dhe regjimit të Rusisë. Duhet të merret si një vërejtje me peshë të veçantë për të ardhmen tonë në integrimet euroatlantike”, ka thënë Quni.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti duke folur për negociatat me Serbinë tha se institucionet e Kosovës nuk po flasin hapur me qytetarët.

“Duhet të bëhet analizë, nuk po them sot, analizë serioze në çështjen e asaj që po e kërkon bashkësia ndërkombëtare, qoftë Bashkimi Evropian, qoftë shtetet e NATO-s, qoftë ShBA, lidhur me negociatat. Unë jam shumë i bindur se ne nuk po flasim hapur, nuk po flasin hapur institucionet me popullin dhe populli në një farë mënyrë po pompohet në deklarata patriotike, me deklarata koti që nuk i hyjnë në punë askujt përveç për interesa elektorale dhe të vërtetën ne nuk po jemi në gjendje me thënë as në këto tavolina që po besoj jemi njerëz me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të madhe”, ka thënë Haliti.

E sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se tani duhet të kalohet të dialog përfundimtar me Serbinë për një marrëveshje me njohje reciproke.

Duhet të kalohet prej dialogut teknik në dialog përfundimtar ku duhet të arrihet marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, me respektim të kufijve të Kosovës, me respektim të sistemit unitar të brendshëm, të respektohet Kushtetuta e Kosovës, të respektohen ligjet e Kosovës dhe nuk mendoj që duhet të ketë zvarritje tash me dialog teknik”, ka thënë deputetja e AAK-së, raporton KP.

Ndërsa ka ngritur si shqetësim mungesën e strategjisë për mbrojtje, për çka ka thënë se sjellja e saj në Kuvend po zvarritet nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha është shprehur i shqetësuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Shqetësim si komision e kemi, sot është sulmuar Policia e Kosovës prap në veri, mirëpo dua të falënderoj këtu Policinë e Kosovës për vetëpërmbajtje, për punën që po e bëjnë atje, ky nuk duhet të shihet si agresion nga Serbia, nuk është as sabotazh por deri më tani sa kemi informacion janë grupe kriminale kontrabandistë që po sulmojnë Policinë e Kosovës. Duhet të kemi kujdes, se unë pjesën e mbylljes do të flas pak më shumë, në klasifikimin e gjërave që ndodhin nuk duhet të ngutemi sepse atje po zhvillohet diçka po ne mundemi të gabojmë duke falsifikuar kështu ose ashtu, policia është duke bërë hetime tash se çka është duke ndodhur atje. Ne ve na konvenon tani Kosova mos të destabilizohet”, ka thënë Berisha.

Lidhur me këtë, deputeti nga PDK, Hisen Berisha ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të kenë një qëndrim zyrtar.

“Sa i përket çështjes së veriut, zhvillimeve atje ndaj policisë, unë megjithatë dhe në vazhdimësi pres institucionet tona ta kenë një qëndrim zyrtar rreth tyre, aq më tepër që Lista Serbe veç ka mbajtur një qëndrim, pra nuk duhet të mbetet kjo në nivelin e festës me petarda siç është kualifikuar sepse është më serioze se kaq. Sa i përket asaj nëse policia nuk arrin të kryejë detyrën e vet atëherë Kosova ka edhe mekanizma të tjerë që sigurojnë edhe jetën, edhe mirëqenien edhe pronën edhe të gjitha aspektet e zhvillimit të shtetit”, ka thënë Berisha.

Deputetët e dy komisioneve janë mbledhur për koordinimet dhe përgatitjet për sfidat në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë në marrëdhëniet ndërkombëtare pas fillimit të luftës në Ukrainë.

/GazetaSinjali/