image Mbi 47 mijë qytetarë janë gjobitur për mosrespektim të ligjit antiCOVID

Siguri

Mbi 47 mijë qytetarë janë gjobitur për mosrespektim të ligjit antiCOVID

news image

Ka më shumë se një muaj prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, e për moszbatim të masave anti-COVID, Policia e Kosovës ka gjobitur mbi 47 mijë qytetarë të Kosovës. Më pak gjoba janë shqiptuar nga Inspektorati Sanitar, ku vetëm në muajin shtator janë dënuar 110 qytetarë dhe rreth 80 biznese.

Vendosja e maskës, ndalimi i punës së gastronomisë pas orës 23:30 dhe ndalimi i muzikës prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme), janë disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Zyra për Informim në PK ka njoftuar se nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, janë shqiptuar 47 mijë e 312 gjoba. Për nga shifrat, më së shumti shkelës të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, janë identifikuar në Komunën e Prishtinës, e cila prinë me gjithsej 12 mijë e 432 gjoba, e pasuar nga Peja me gjithsej 7 mijë e 838 dhe Prizreni me 6 mijë e 838.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, parasheh ndëshkime për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat e vëna nga Qeveria. Çdo person që nuk mban maskën në hapësira publike dënohet me 35 euro, ndërsa ata që nuk e respektojnë izolimin dënohen me 500 euro.

Javëve të fundit kur lakorja e infeksionit po rritet në Evropë dhe kur masat e mbylljes dhe karantina po kthehen në ato vende me risk të lartë të infeksionit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar shtim të inspektimeve dhe shqiptim të gjobave sipas Ligjit për luftimin e pandemisë COVID-19 për të gjithë ata që nuk zbatojnë masat. /Gazeta Sinjali/