image Mbi 1500 raste të dhunës në familje për 9 muaj në Kosovë, listës i prin Prishtina

Siguri

Mbi 1500 raste të dhunës në familje për 9 muaj në Kosovë, listës i prin Prishtina

news image

Kushdo që e kryen aktin e dhunës ose keqtrajtimit fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë është në rritje e sipër çdo ditë e më shumë.

Për këtë Gazeta Sinjali ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës në lidhje me numrin e rasteve të dhunës në familje për periudhën janar-shtator të këtij viti.

Në bazë të përgjigjeve të marra nga ky institucion i sigurisë në Kosovë, gjatë kësaj kohe janë raportuar 1 mijë e 571 raste të tilla.

Listës sipas Drejtorive Rajonale Policore në Kosovë i prin rajoni i Prishtinës me 535 raste, e pasuar nga Prizreni me 194, Peja 181, Gjakovë 174, Gjilani me 162 raste apo dy më shumë se Ferizaji që ka 160, pastaj Mitrovica e Jugut numëron 112 raste ndërsa ajo e Veriut ka 53 raste, shkruan Gazeta Sinjali.

Viktima të 1 mijë e 571 rasteve, të ndara sipas gjinisë janë: 1 mijë e 222 femra dhe 374 meshkuj (në një rast mund të ketë më shumë se një viktimë).

Ndërsa, deri në fund të shtatorit 2020, në prokuroritë përkatëse janë dërguar rreth 1 mijë e 400 raste.

Ndërkaq, në përgjigjet e dërguara në Gazetën Sinjali nga Policia thuhet se në strehimore gjatë kësaj periudhe janë strehuar 52 viktima të rasteve të dhunës në familje.

Kujtojmë që në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 2 raste të dhunës në familje, një në Fushë Kosovë dhe një në Gjakovë.

/Gazeta Sinjali/