image Mbi 12 hektarë pyje u dogjën dje në Kosovë

Siguri

Mbi 12 hektarë pyje u dogjën dje në Kosovë

news image

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme është raportuar për djegien e më shumë se 12 hektarë pyjesh në Kosovë.

Vatra të zjarrit ka pasur në fshatrat e Prizrenit, në Suharekë dhe në Kamenicë.

Në mesditën e djeshme në fshatin e Karaqevë e Poshtme të Kamenicës është raportuar se rreth 10 hektarë pyje, pronë publike është përfshirë nga zjarri, ku policia ka bërë të ditur se zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.

Ndërkohë, në fshatrat Grozme dhe Reqan u raportua për një sipërfaqe të madhe të pyllit që është përfshirë nga flaka.

Zjarr është raportuar që ka pasur edhe në fshatin Ropotovë të Ranillugut, ku një sipërfaqe e madhe e pyjeve është përfshirë nga zjarri. Policia ka bërë të ditur se zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin, derisa ende nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar. Në raport thuhet se rasti është ende në hetime.

Në fshatin Rajanovc pyjet nga flaka janë përfshirë rreth orës 09:00, derisa edhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta lokalizojnë vatrën.

Ndërkohë, në fshatin Bllacë të Suharekës raportohet se dy hektarë sipërfaqe pyjore janë përfshirë nga zjarri. Kanë qenë zjarrfikësit ata të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin.

Edhe në fshatrat Korishtë dhe Skorobisht të Prizrenit është raportuar se një sipërfaqe e pyllit është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin edhe në fshatin Pejqiqi ku është raportuar se një sipërfaqe e pyllit është përfshirë nga flakët.

/GazetaSinjali/