image Mbi 100 mijë bjellorusë demonstrojnë para skadimit të ultimatumit për Lukashenkon

Botë

Mbi 100 mijë bjellorusë demonstrojnë para skadimit të ultimatumit për Lukashenkon

news image

Më shumë se 100.000 qytetarë dolën në një demonstratë të re sot kundër presidentit autoritar, Alexander Lukashenko, pak para skadimit të afatit të dhënë nga opozita për të dhënë dorëheqjen.

Protestuesit u përleshën me policinë në Minsk dhe shërbimet e sigurisë hodhën të paktën 10 bomba shoku ndaj tyre, raporton Reuters, transmeton Gazeta Sinjali.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bjellorusisë po kontrollon pretendimet se municione të gjalla janë përdorur gjatë konfliktit.

Autoritetet mbyllën 12 stacione metro dhe kufizuan qasjen në internet përmes telefonave mobilë.

Mediat lokale raportuan se disa nga gazetarët që mbulonin protestën ishin arrestuar.

Policia arrestoi disa demonstrues në qytetin Lida në perëndim të Bjellorusisë, ndërsa pamjet nga Minsk tregojnë një karvan autobusësh që sjellin anëtarë të forcave të sigurisë në qendër të qytetit.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të një votimi që Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet u vodhën.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas dy muaj e gjysmë.

Protestat më masive ndodhin të dielave kur dhjetëra-mijëra demonstrues dalin në rrugë.

Liderja e opozitës Svetlana Tikhanovska, e cila u arratis në Lituani menjëherë pas zgjedhjeve për të shmangur arrestimin, i dha ultimatum Lukashenkos javën e kaluar për të dhënë dorëheqjen deri sonte në mesnatë, duke njoftuar se përndryshe do të thërriste të gjithë qytetarët të hynin në grevë të përgjithshme.

Tikhanovska, e cila papritur u bë rivali kryesor i Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale pas arrestimit të figurave të tjera të shquara të opozitës, tha se sot ishte një “ditë e veçantë”.

Lukashenko, 66-vjeç, një aleat i liderit rus Vladimir Putin, ka drejtuar Bjellorusinë me një dorë të vendosur që nga korriku 1994. /Gazeta Sinjali/