Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka njoftuar se në javën e fundit në kryeqytet, janë shqiptuar 1100 gjoba, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Policisë, këto gjoba janë shqiptuar për qytetarët që nuk e kanë respektuar orarin e lëvizjes, si dhe masat tjera për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të miratuara nga Qeveria e Kosovës.
“Vetëm në harkun kohor të javës që lamë pas, për shkelësit e orareve të përcaktuara për lëvizje, për ata që kanë zhvilluar aktivitete në mjedise private e publike, ata që nuk kanë respektuar izolimin dhe karantinën, ata që nuk kanë respektuar cilëndo nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë së Republikës, janë shqiptuar njëmijenjëqind (1100) fletëparaqitje, përderisa janë dhënë mbi dyqindeshtatëdhjetë (270) vërejtje nga polica”, thuhet në njoftimin e Policisë.