Anësori i Liverpool, Sadio Mane, ka minimizuar rëndësinë personale të golit të tij të dytë në fitoren 3-1 të skuadrës në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Benfica-s të martën, transmeton Sinjali Sport.
Ishte Ibrahima Konate ai që vuri ‘Reds’ në epërsi në Estadio da Luz kur goditi me kokë për ta shënuar golin e hapës në minutën e 17-të përpara se Sadio Mane të shënonte të dytin në minutën e 34-të pas një asistimi nga Luis Diaz.
Darwin Nunez më pas shënoi një gol për Benfikën në minutën e 49-të, por Diaz vendosi ‘qershinë mbi tortë’ për Liverpool-in në minutën e 87-të.
“Siç them gjithmonë, skuadra po fiton – kjo është më e rëndësishme [se sa të shënoj unë]. Unë shënova një gol sot; Jam i lumtur, por më të rëndësishëm ishin golat që shënuam. Ne jemi duke pritur për ndeshjen e radhës dhe për të kryer punën në shtëpi”, u tha Mane gazetarëve, cituar nga faqja e internetit e Liverpool.
“Një fillim i mrekullueshëm [javë]. Nuk mund të presim më mirë se kaq dhe kjo do të na ndihmojë të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, ka deklaruar senegalezi.
Me Liverpoolin që do të përballet me Manchester Cityn në një ndeshje të Premier League të dielën, Mane u pyet nëse menaxheri Jurgen Klopp do të bëjë ndryshime të mëtejshme në skuadër.
“Duhet të pyesni shefin! Ne jemi Liverpool, kemi një skuadër të thellë. Ndonjëherë bëjmë ndryshime për të përfituar të gjithë ekipin”, përfundoi Mane.
Duke shënuar kundër Benfica-s, 29-vjeçari e kaloi Lionel Messin e Paris Saint-Germain-it dhe u barazua me lojtarin e Manchester United, Cristiano Ronaldo për golat e shënuar në fazën e eliminimit të Ligës së Kampionëve.
Mane, i cili iu bashkua Liverpoolit në qershor 2016, tani ka shënuar 13 gola në fazën eliminatore dhe në këtë proces ka kaluar Messin, i cili ka shënuar 12 gola.
Ndërkohë, goli i Mane kundër Benfica-s i dha atij një tjetër pikë referimi në nivel klubesh, pasi ishte goli i tij i 22-të në Ligën e Kampionëve dhe në këtë proces ai kaloi Steven Gerrard (21) si golashënuesi i dytë më i mirë i Liverpool-it në kompeticion, pas Mohamed Salah (33).