Anësori i Liverpool, Sadio Mane, ka premtuar se skuadra do të luftojë për të realizuar ëndrrën e tyre për të fituar një “katërfish” të trofeve.
‘Reds’ kanë fituar tashmë Kupën e Ligës dhe janë në finalen e FA Cup – pasi mposhtën Manchester Cityn 3-2 në Wembley të shtunën.
Skuadra nga Merseyside ka siguruar gjithashtu një dalje në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të UEFA-s dhe po i shtyjnë Citizens për titullin e Premier League.
Për shanset e skuadrës për të fituar të gjitha kompeticionet që po garojnë, foli anësori i senegalit, cituar nga faqja e internetit e klubit.
“Ne do të shohim. Kemi shumë ndeshje për të bërë, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Është një ëndërr, me siguri. Ne do të shkojmë për të, do të luftojmë për të,” tha ndërkombëtari senegal.
Në fitoren kundër skuadrës së Pep Guardiolas, 30-vjeçari shënoi një dygolësh dhe vazhdoi të komentojë për pjesën e tyre të parë mbresëlënëse, kur ata shënuan tre gola.
“[Jam] shumë i lumtur që shënova dy golat për ekipin. Por mendoj se performanca e ekipit [të shtunën] ishte fantastike, secili lojtar e shijoi lojën sepse ne bëmë gjërat e duhura në kohën e duhur. Dhe kjo u shpagua”, vazhdoi ai.
“Të jem i sinqertë, mendoj se që nga fillimi i lojës ne luajtëm shumë mirë. E nisëm shumë mirë. Të gjithë ishin në këmbën e përparme, i shtypëm lart.
“Ne i shtymë ata të bëjnë një gabim dhe për këtë morëm shpërblimin tonë. Ky është Liverpool, ky është stili ynë i lojës. Sigurisht, nuk ishte e lehtë për ta. Mendoj se kjo bëri diferencën“, u shpreh Mane.
Liverpool tani do të fokusohet në ndeshjen e tyre të radhës në Premier League, në shtëpi ndaj Manchester United të martën.