Pas hulumtimit të Gazetës Sinjali për ordinancën “Facial.am” dhe Mirlinda Berishën, e cila që nga viti 2018 dyshohet se ka kryer ndërhyrje kirurgjike me filler e botox, pa diplomë e pa licencë pune, ish-pacientët e saj kanë hedhur akuza në drejtim të saj.
Madje një vajzë, e cila pretendon se ka qenë paciente e saj, ka akuzuar Mirlinda Berishën, se gjoja ajo ia ka dëmtuar syrin gjatë aplikimit të botoxit.
“E vërtetë është se mu ma ka dëmtu syrin, për shkak të aplikimit të botoxit në mënyrën jo të duhur” ka komentuar ajo në postimin e Sinjalit për hulumtimin në fjalë.
Në këtë postim ka komentuar edhe një person tjetër, i cili është paraqitur si taksist. Ai thotë se ka dërguar me taksi shumë vajza te kjo “ordinancë”, të cilat më pas janë ankuar te ai për shtrembërim të vetullave, buzëve e faqeve.
“Unë, si taksist, kam dërguar shumë vajza te Linda dhe asnjë nuk janë nda të knaqura, sepse ja ju ka shtramu buza, ja vetulla, ja faqet. Veç është e ditur se ajo nuk ka lidhje dhe prapë kishte myshteri. I njof disa që kishin bërë ndërhyrje tek ajo”, ka shkruar një komentues tjetër.
Ndërsa një vjazë tjetër, e cila po ashtu është prezantuar si ish-paciente e saj është ankuar se filleri që Mirlinda ia ka aplikuar në buzë i ka zgjatur vetëm tri javë, ndonëse ajo i ka thënë se kjo ndërhyrje do t’i zgjaste të paktën tetë muaj.
Për këtë gjë ajo thotë se ka kontaktuar me Berishën dhe se e njëjta i ka thënë se do t’i rregullohen.
“S’di gjë. Unë për vete kam qenë në dhjetor për Lip filler për herë të parë. Personi në fjalë (Mirlinda Berisha) më tha që zgjasin deri në 8 muaj, mbase dhe më shumë, por mua më zgjatën vetëm tri javë. Në ndërkohë, i kam shkru SMS, më ka thënë që do të rregullohen vetë dhe tash i kam siç i kam pasë pa bërë. Dështim d.m.th.”, ka shkruar ajo.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/