image "Dr.Linda" fshin faktet që dëshmonin se ajo për disa vite me radhë "mjeshtroi" fytyra pa diplomë e pa licencë

Skandaloze

“Dr.Linda” fshin faktet që dëshmonin se ajo për disa vite me radhë “mjeshtroi” fytyra pa diplomë e pa licencë

news image

Gazeta Sinjali dje publikoi hulumtimin për ordinancën “FACIAL.AM”, në të cilën punon Mirlinda Berisha, e cila dyshohet se që nga viti 2018 ka kryer ndërhyrje kirurgjike, përmes metodave invazive, pa diplomë dhe pa licencë pune.

Berisha dyshohet se kryen procedura invazive dhe implante të botoxit dhe fillerave që tri vite, pa diplomë të Fakultetit të Mjekësisë dhe pa licencë pune, duke konsumuar kështu edhe veprën penale Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, e sanksionuar me gjobë dhe me burgim.

Pas publikimit të këtij artikulli, ka reaguar Berisha. Ndonëse nga Sinjali asaj i është dhënë mundësia disa herë të japë versionin e saj për këto pretendime para se hulumtimi të publikohet, ajo ka zgjedhur që reagimin e saj ta bëjë në faqen e “ordinancës” së saj në Instagram.

Ajo e ka quajtur lajm të rremë artikullin e Sinjalit, duke thënë se në këtë “ordinancë” ajo kryen punën e “estetistes së trajnuar” dhe se profesioni i saj është “Doktor i Mjekësisë së Përgjithshme”.

“Jetojmë në epokën e FAKE NEWS…Artikulli i publikuar sot (dje) në një portal rreth meje dhe veprimtarisë sime, përmban informata fallso dhe si i tillë është plotësisht i pavërtetë! Në Facial Aesthtetics Sh.P.K unë punoj punën e estetistes së trajnuar, gjë që posedoj certifikatat e trajnimit… Ndërsa shkollimi është Doktor i Mjekësisë së Përgjithshme…Turp!!!”, thuhet në reagimin e saj të bërë dje në faqen e Instagramit Facial.am.

Mirëpo, profili “estetiste”, të cilët thotë se i takon Mirlinda, nuk gjendet në neni 69 të Ligjit për Shëndetësi, ku janë të paraqitura të gjitha profilet e profesionistëve shëndetësorë.

Se ajo nuk ka licencë për punën që kryen për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Ju njoftojmë se nuk kemi mjekë të anëtarësuar dhe licencuar pranë Odës së Mjekëve të Kosovës me këtë emër, pra Mirlinda Berisha”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.

Për ta “dëshmuar” se ajo mban titullin doktor, Berisha ka publikuar punimin e saj të diplomës, por jo diplomën e saj. Për më tepër, Mirlinda në këtë fotografi është kujdesur që ta mbulojë datën se kur e ka bërë këtë punim, duke marrë parasysh se këtë punë ajo e ushtron të paktën që nga viti 2018.

Berisha është treguar e kujdesshme edhe në zhdukjen e fakteve që e dëshmojnë se për disa vite me radhë, ajo është prezantuar rrejshëm te pacientët e saj si “Dr.Linda” dhe ka kryer ndërhyrje kirurgjike, përmes metodave invazive me botox e filler, pa pasur diplomë dhe licencë për një gjë të tillë, ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi.

Ajo ka fshirë nga profili në Instagram të gjitha lavdet që ia kanë thurur figurat publike, duke e shpërndarë faqen e Facial.am, ku emri i saj ishte shkruar me titull Dr, përpara.

Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Era Istrafi (tashmë është fshirë)
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Elita Rudi (tashmë është fshirë)
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Ariana Fejzullahu (tashmë është fshirë)
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Ana Kllokoqi (tashmë është fshirë)

Mirëpo, në media ende janë paraqitjet e saj, ku ajo shfaqet dhe flet si “doktor i Mjekësisë”.

Madje, në një storie të Televizionit 7 ajo flet si një doktoreshë dhe para kamerës kryen një ndërhyrje në hundën e një pacienti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/