Gazeta Sinjali nga dhjetori i vitit të kaluar e në vazhdimësi ka raportuar për disa nga shumë kurdisjet e çmimeve dhe fituesve të tenderëve që janë bërë nga drejtori i Departamentit për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhim të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arif Daka.
Krejt kjo është bërë me qëllim të angazhimit të kompanisë së vet si nënkontraktore. Daka, në vazhdimësi është siguruar që kompaninë që vet e menaxhon, e kontrollon dhe e administron “Quatro Trade” SH.P.K, ta angazhojë në punë si nënkontraktore të projekteve të ndryshme.
Për disa nga publikimet e Sinjalit me dokumente për tenderët që dyshohet se janë kurdisur nga Arif Daka, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të MPB-së por edhe në adresë të ministrit që udhëheqë me këtë dikaster, Xhelal Sveçlës. Ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje as në email, as në mesazhet që i janë dërguar përmes rrjetit “Viber”, po as në numrin e tij personal.
Ministri Sveçla po refuzon të përgjigjet për rastet për të cilat ka premtuar se Qeveria në të cilën ai bën pjesë, por edhe dikasteri që udhëheqë do ta luftojë krimin dhe korrupsionin.
Madje Sveçla pati thënë se “Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kryefjala e kësaj qeverie”.
Sinjali ka pyetur Sveçlën se a kanë marrë si ministri ndonjë veprim disiplinor ndaj Dakës lidhur me këto keqpërdorime, por përgjigjet e vetme të tij kanë qenë: “Jam ne takim. Me shkruani sms” dhe “Jam i zanun. Me shkruani sms”.
Përgjigje në pyetjet e Sinjalit se a kanë nisur hetimet për këto raste, nuk ka kthyer as Prokuroria Themelore në Prishtinë e as Prokuroria Speciale.
Por kjo formë e keqpërdorimeve përmes përmes prokurimit publik siç duket ka zënë vend dhe ka lëshuar rrënjë në këtë ministri.
Gazeta Sinjali ka raportuar për tri tenderë që janë kurdisur përmes metodave të ndryshme, vetëm që të arrihet qëllimi i Arif Dakës, të përfitojë kompania e tij.
Kontratat për tri objekte të ndryshme, Daka i ka kurdisur përmes “Quatro Trade” SH.P.K. të cilën ai në vitin 2016 e regjistroi në emër të vajzës së vet, Dafinës, që në kohën kur kompania u regjistrua në emër të saj, ajo ishte veç 19-vjeçare.
Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi edhe për kurdisje të tenderëve të tjerë nga Arif Daka me bashkëpunëtorë, duke përdorur kompaninë “Quatro Trade” SH.P.K, të cilat do t’i publikojë së shpejti.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.