Në mesin e 61 krerëve lopë që u konfiskuan mbrëmë, rreth 40 dyshohet se janë nga ferma e policit Ferid Leci, i cili u vetëdorëzua sot në polici, gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia e Kosovës në Karaçevë, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se kafshët janë verifikuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe kanë rezultuar se janë të kontrabanduara.
Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se këto kafshë janë dërguar që të theren për mish për të burgosurit në Burgun e Dubravës.
Lajmin se kafshët kanë qenë të kontrabanduara dhe se tani janë dërguar për në Burgun e Dubravës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi.
“Po shiko, e vërtetë është, por kujt iu kanë konfisku, unë nuk e kam informatën, nuk e di kujt. Ato janë kafshë të kontrabanduara. Unë nuk e di as personin kujt iu kanë konfisku. Mbi 60 kafshë janë të kontrabanduara, kanë dalë pa numra identifikues. Ato janë dërgu në Burgun e Dubravës”, tha Krasniqi.
Polici Ferid Leci u vetëdorëzua sot në polici, pasi që mbrëmë u arratis dhe u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës, ku mbrëmë u zhvillua mega-aksion i policisë.
Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe vëllain dhe nipin e policit Leci (emra të njohur për redaksinë), të cilët dyshohet se kanë qenë bashkëkryerës të veprave penale për të cilat dyshohet edhe polici Ferid Leci./Gazeta Sinjali/