image Lirohet nga burgu eprori i policisë i dyshuar për fajde

Drejtësi

Lirohet nga burgu eprori i policisë i dyshuar për fajde

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim për të zbutur masën e sigurisë ndaj eprorit të Policisë së rajonit të Ferizajt, Kadri Kadriut dhe dy kushërinjve të tij, të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo gjykatë ka marrë vendim që Kadriut t’ia zëvendësojë masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Vendim të njëjtë ka marrë edhe për njërin nga kushërinjtë e tij, po ashtu të dyshuar për fajde.

Ndërsa, i dyshuari i tretë Gazeta Sinjali merr vesh se është liruar për në shtëpi.

Se gjykata ka marrë këtë vendim për Sinjalin e ka konfirmuar edhe njëri nga familjarët e viktimës, personit nga i cili eprori policor Kadriu dhe dy kushërinjtë e tij dyshohet se morën fajde.

Madje, ai tha se po ndihen të pasigurt, pasi që të dyshuarit jetojnë po ashtu në Ferizaj.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Kadriu po dyshohet se në vitin 2017 ka dhënë 20 mijë euro fajde dhe përmes tyre ka përfituar mbi 17 mijë euro.

Sipas prokurorisë, ai këto të holla i ka dhënë me fajde me kamatë prej 3%, për të cilat ka marrë nga i dëmtuari çdo muaj këst nga 600 deri në 800 euro.

I dyshuari tjetër F.R. dyshohet se i ka dhënë një qytetari 22 mijë euro para me fajde dhe nga to ka përfituar 24 mijë e 300 euro, si dhe e ka obliguar të dëmtuarin për pagesën e 22 mijë eurove të marra me fajde.

F.R. po ashtu dyshohet se ia ka dhënë një personi tjetër një shumë prej 7 mijë euro me fajde, duke përfituar nga kjo shumë 3 mijë e 500 euro, si dhe duke e obliguar të dëmtuarin edhe për 7 mijë eurot e marra në fillim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/