image Lajmëroi rrejshëm në polici se i hynë hajnat në shtëpi, prangoset 32-vjeçari nga Novobërda

Siguri

Lajmëroi rrejshëm në polici se i hynë hajnat në shtëpi, prangoset 32-vjeçari nga Novobërda

news image

S.B., i lindur në vitin 1989 është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se ka bërë një lajmërim të rremë në polici, raporton Gazeta Sinjali.

32-vjeçari dyshohet se ka gënjyer kur raportoi në polici se i kanë hyrë hajnat në shtëpi, mëngjesin e të martës, në fshatin Pasjak të Novobërdës.

Ai u kishte thënë hetuesve policorë se disa persona të panjohur janë futur me forcë në shtëpinë e tij, nga dritarja e podrumit dhe nga aty kanë vjedhur para të gatshme. Mirëpo, e gjithë kjo deklaratë e tij po dyshohet se është e rreme.

Policia bën të ditur se ka intervistuar familjarët e tij, si dhe ka parë video-incizimet e kamerave të sigurisë që kanë qenë të vendosura në shtëpi, nga çka ka lindur dyshime se një vjedhje e tillë nuk ka ndodhur fare.

“Njësitet e Hetimeve Rajonale-Gjilan, pasi pranimit të rastit kanë  filluar me veprimet hetimore intensive; intervistimit të familjarëve të ankuesit dhe janë shikuar kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në shtëpi. Nga këto veprime hetimore, hetuesit policorë, kanë krijuar dyshime të reja. Prandaj, ‘ankuesi’ është ri-intervistuar nga ana e hetuesve policorë, por tanimë në cilësi të të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kur është intervistuar sërish nga policia, S.B., e ka pranuar se këtë rast e kishte inskenuar, pasi që ato para, të cilat kishte pretenduar se i janë vjedhur, i kishte shpenzuar vetë.

“Bazuar në deklaratën e dytë të të dyshuarit dhe provave të qëndrueshme të gjetura nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj S.B. është iniciuar rasti ‘lajmërimi apo kallëzimi i rremë’. Me aktvendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton policia./Gazeta Sinjali/