image Ky vend po raportohet si vendi më i sigurt nga koronavirusi, nuk ka raste të reja qe një javë

Botë

Botë/ Ky vend po raportohet si vendi më i sigurt nga koronavirusi, nuk ka raste të reja qe një javë

news image

Kur bëhet fjalë për koronavirusin, Australia e Jugut tani konsiderohet si një “ndër vendet më të sigurta në botë”.

Ky ishte mesazhi nga një prej zyrtarëve kryesorë të shëndetit publik, pasi shumë vende nga Australia filluan procesin e ngadaltë të lehtësimit të kufizimeve.

Sipas mediave të huaja, shumë australianë tani e gjejnë veten në një pozicion kaq të “lakmueshëm”, pasi vetëm një muaj më parë, numri i infeksioneve ditore në shkallë vendi arriti në shifra të trefishta.

Mirëpo, të premten i gjithë vendi raportoi vetëm 16 raste të reja, një rënie e mprehtë, nga kulmi i 460 infeksioneve të reja më 28 mars.

Kryeministri australian, Scott Morrison, tha të premten se javën që vjen do të shyrtojnë masat lehtësuese të bllokimit.

“Australianët e kanë merituar këtë”, tha Morrison.

“Kemi nevojë të rifillojmë ekonominë, dhe shoqërinë tonë”, ka shtuar ai.

Në disa shtete, kurba është rrafshuar plotësisht: Queensland nuk ka raportuar ndonjë rast të ri që nga e hëna, dhe Australia e Jugut nuk ka konfirmuar ndonjë infeksion të ri për më shumë se një javë.

“Nuk ka më raste në Australinë e Jugut. Ky është një pikë referimi për ne”, tha Shefi i Shëndetit Publik të Australisë së Jugut, Nicola Spurrier.

Masat e rrepta

Suksesi i Australisë në zbutjen e shpërthimit filloi me masat e hershme, duke ndaluar hyrjen e personave nga zonat me rrezik të lartë.

Më 1 shkurt, Australia u bashkua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbylljen e kufijve të saj për të gjithë vizitorët e huaj që kishin qenë kohët e fundit në Kinë, ku shpërthimi u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa virusi u përhap dhe shpërthimet u “ndezën” përtej Kinës, Australia ndaloi hyrjet nga Irani, Koreja e Jugut dhe Italia në fillim të marsit, dhe më vonë mbylli plotësisht kufijtë e saj për shtetasit e huaj.

Ndërkaq jo gjithçka shkoi në mënyrë të përkryer, shkruan CNN.

Vendi më 19 mars, lejoi më shumë se 2,600 pasagjerë të zbarkojnë nga anija e lundrimit Ruby Princcess në Sidnei, që bëri që nga aty të “kërcejnë” mbi 600 raste dhe 15 vdekje.

Derisa numri i rasteve u rrit në fund të marsit, Morrison njoftoi më 22 mars se të gjitha baret, klubet, kinematë, palestrat, dhe vendet e adhurimit, do të mbylleshin, ndërsa restorantet dhe kafenetë do të merreshin vetëm me dërgesa.

Sa i përket supermarketeve, dyqaneve për veshje, dhe salloneve të bukurisë, do të lejoheshin të qëndronin të hapura.

Shteti i Victorias mbylli shkollat, dhe disa shtete, të tilla si Australia e Perëndimit dhe Australia e Jugut, mbyllën kufijtë e tyre, duke kërkuar që të gjithë të hyjnë në karantinë për dy javë.

Deri në fund të marsit, autoritetet vendosën rregulla më të rrepta për distancimin shoqëror, duke kufizuar tubimin publik për dy persona nga 10, sa ishte më parë.

Njerëzve u kërkohej të rrinin në shtëpi dhe të dilnin vetëm për “çështje themelore” siç është pazari për ushqim, ushtrime , dhe për arsye mjekësore.

Zgjerimi i testimeve

Ndërsa mbyllja e bizneseve, shkollave, kufizimit të udhëtimeve, dhe rregullat e distancimit shoqëror janë masa të zakonshme të miratuara nga shumë qeveri në të gjithë botën, Australia zgjeroi edhe testimet.

Deri më tani, më shumë se 570,000 teste janë kryer në të gjithë Australinë, sipas Departamentit të Shëndetësisë.

Nëse e krahasojmë me Mbretërinë e Bashkuar, që ka një popullsi më shumë se 2.5 herë më të madhe se Australia, ka realizuar 763,387 testime.

Më 25 mars, Australia zgjeroi kriteret e testimit duke përfshirë të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e kujdesit për të moshuar, të burgosur dhe njerëzit në vendet e tjera të identifikuar me ethe ose simptoma të frymëmarrjes akute.

Më parë vetëm njerëzit që ishin kthyer kohët e fundit nga vendet e jashtme që kishin rënë me një rast të konfirmuar nga koronavirusi mund të testoheshin.

Javën e kaluar, kriteret u zgjeruan më tej për këdo që shfaqte simptoma më të buta për COVID-19, njoftoi Kryeshefi i Federatës Mjekësore, Brendan Murphy.

“Secili që ka  simptoma të frymëmarrjes akute, kollë, dhimbje të fytit, hund që rrjedhin, simptoma të ftohjes, simptoma të ngjashme me gripin, mund të testohet”, tha Murphy në një konferencë shtypi të Premten, sipas ABC.

Të hënën, Murphy tha që Australia do të fillojë të testojë edhe rastet asimptomatike për të qenë absolutisht të sigurt.