image Ky është zyrtari që u arrestua sot në Malishevë për dallavere në regjistrimin e automjeteve

Siguri

Ky është zyrtari që u arrestua sot në Malishevë për dallavere në regjistrimin e automjeteve

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e një zyrtari në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Malishevë, nën dyshimin se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtare.

Sinjali mëson se zyrtari që përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës është Besart Gashi.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjakovë kanë bërë të ditur se ndaj zyrtarit në fjalë, më 11 janar të këtij viti, ishte iniciuar rasti “Falsifikim i dokumentit”.

Gashi dyshohet se në rubrikën “Vërejtje” të librezës së një veture, kishte shkruar se gjoja xhamat e pasmë të kësaj veture janë të errësuar nga prodhuesi, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte vërtetë.

Pas këtij rasti, prokurori kishte autorizuar drejtorinë e policisë në Gjakovë që të bëjë kontrollimin e lëndëve në këtë qendër për periudhën kohore 2018-2020.

Gjatë këtij kontrolli, Sinjali mëson se hetuesit policorë kishin hasur në shumë shkelje të ndryshme në lëndët e punuara nga Besart Gashi.

Shkelje më të shpeshta Gashi dyshohet se ka bërë me pagesat e taksave komunale. Ai dyshohet se ka bërë regjistrimin e automjeteve pa taksa komunale dhe se në ato lëndë kishte vendosur taksa të palëve të tjera.

Mirëpo, këto nuk janë shkeljet e vetme që ky zyrtar dyshohet t’i ketë kryer.

Këto burime po ashtu thonë se Gashi ka kryer regjistrimin e automjeteve pa certifikatë për kontrolle teknike dhe pa dokumentacionin përkatës që kërkohet në bazë të ligjit.

Kështu, Besart Gashi dyshohet se duke bërë regjistrime të automjeteve pa pagesa të taksave komunale, ka përfituar për vete shuma të konsiderueshme të parave, në mënyrë të kundërligjshme, duke e dëmtuar buxhetin e Kuvendit Komunal të Malishevës.

Andaj, po dyshohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sinjali mëson se me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/