image Ekskluzive: Ky është punëtori që avulloi 11 mijë euro nga punëdhënësi i tij, ende i pakapshëm për Policinë - Sinjali

Ekskluzive: Ky është punëtori që avulloi 11 mijë euro nga punëdhënësi i tij, ende i pakapshëm për Policinë

news image

‘Shtëpinë tënde nuk bën me e vjedhë’. Kështu thotë një fjalë popullore, e cila si duket nuk i ka rënë kurrë në vesh njërit nga punëtorët e kompanisë ‘Beta Group’, të cilin e ‘lëshoi toka’ bashkë me 11 mijë euro të firmës që i avulloi më 11 maji, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se punëtori i kompanisë i cili mbante pozitën e shoferit të kamionit e që vendosi që 11 mijë euro të vendit ku punonte t’i fus në xhepin e tij, është Granit Telaku, 30-vjeçar.

Sinjali ka kontaktuar edhe me kompaninë Beta, të cilët e kanë konfirmuar ngjarjen dhe janë duke bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë për kapjen e të dyshuarit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia tashmë është në dijeni se Telaku ka kontaktuar me familjen e tij dhe si rrjedhojë, kapja e tij është vetëm çështje kohe.

E në anën tjetër, kompania ka bërë të ditur për Sinjalin se ndajnë një shpërblim për këdo që ofron informacione që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit nga organet kompetente.

Telakun e denoncoi në Polici menaxheri i kompanisë, pasi ai u zhduk me gjithë paratë që duhej t’i dorëzonte në zyrën e financave, duke mos u lajmëruar në vendin e punës që nga e mërkura.

Pavarësisht punës intensive të njësiteve hetimore, 30-vjeçari ende nuk është arritur që të arrestohet dhe i njëjti tashmë është shpallur në kërkim nga Policia.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokuroria po e trajton këtë rast si “keqpërdorim të besimit”.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detaje të reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin