image Ky është grupi i të arrestuarve për vjedhjen e derivateve në vlerë të 60 mijë € në Ex-Fis të Ferizajt

Siguri

Ky është grupi i të arrestuarve për vjedhjen e derivateve në vlerë të 60 mijë € në Ex-Fis të Ferizajt

news image

Pista e hetimeve për vjedhjen e rëndë në pikën e pompës së derivateve Ex Fis në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj është zgjeruar dhe tashmë ka rënë në prangat e Policisë edhe personi i katër i dyshuar. Katër të rinj po dyshohen për një rast jo fort të zakontë, të cilët kanë vjedhur 60 mijë euro derivate për pak muaj me vetëm një gyp. Sinjali ka mësuar se kush janë të arrestuar dhe ua sjellë identitetin e tyre.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i fundit që u kap si pjesë e këtij grupi është Albin Hasani (20-vjeçar), teksa ditë më parë janë arrestuar edhe Edison Musolli (21-vjeçar), Liridon Misini (24-vjeçar) dhe Arjanit Hasani (20-vjeçar).

Dy të dyshuarit e fundit Misni dhe Hasani janë kapur në flagrancë mëngjesin e 3 dhjetorit, teksa po vidhnin derivate, ‘veprimtari’ kjo që dyshohet se bashkë me dy personat e tjerë po e ushtronin që nga muaji korrik i këtij viti.

Të njëjtit dyshohen se vjedhjen e kryenin me një gyp uji dhe në një largësi rreth 100 metra nga depoja e derivateve. Që aty, ata dyshohet se transferonin derivatet në automjetin e tyre me të cilin transportonin naftën e vjedhur.

Bazuar në dëshminë e përfaqësuesit të kompanisë, vjedhja ka ndodhur në vazhdimësi që nga korriku dhe që atëherë janë vjedhur derivate në vlerë të 60 mijë eurove.

Pas arrestimit të të dyshuarit të fundit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/