Gazeta Sinjali të premten publikoi ekskluzivisht dëshmi nga trajtimi çnjerëzor dhe poshtërimi që rreshteri Sami Hoti dhe katër policët: Valon Krasniqi, Frashër Kroni, Albert Përzheku dhe Ardian Krasniqi, dyshohen se ua kanë bërë katër qytetarëve të prangosur korrikun e vitit të kaluar në Prizren.
Pas publikimit të këtyre dëshmive, pesë zyrtarët policorë u arrestuan dhe u suspenduan nga puna.
Sot, pesë policët e dyshuar dolën para gjykatës, e cila, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarve.
Kjo masë do t’i llogaritet nga data e ndalimit, 26 qershor deri më 26 korrik të këtij viti.
Hoti, A. e V. Krasniqi, Kroni dhe Përzheku dyshohen se kanë kryer veprat penale dhe atë veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Lëndim i lehtë trupor”.
Arsyetimi i Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e kësaj mase
Përveç kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, që është bërë nga prokurori, ndaj pesë zyrtarëve policorë të dyshuar, Inspektoratit Policor i Kosovës, Departamenti i hetimeve, ka parashtruar kallëzim penal, më 26 qershor të këtij viti, për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, si dhe veprën penale në bashkëkryerje “Lëndim i lehtë trupor”.
Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë këtë aktvendim, në të cilën është edhe arsyetimi i gjykatës për caktimin e kësaj mase.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas vlerësimit të kërkesës së Prokurorit të shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, pretendimeve të palëve, të dhëna gjatë seancës së dëgjimit, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar”, thuhet në aktvendim.
Nga shkresat e lëndës, gjykata konstaton se rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe atë veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Lëndim i lehtë trupor”.
Gjyqtari i procedurës paraprake vlerëson se ky dyshim i bazuar vërtetohet nga provat të cilat janë mbledhur deri në këtë fazë të procedurës, të bashkëngjitura kallëzimit penal të Inspektoratit Policor të Kosovës: provat materiale, deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në IPK, deklaratat e të pandehurve të dhëna në IPK më 26 qershor të këtij viti, raporti i oficerit, CD, video-incizime, e sidomos audio-incizimin e paraqitur në IPK, fotot nga foto albumi, raportet mjekësore, si dhe shkresat e tjera në lëndë.
Kësisoj, gjyqtari vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Gjykata e arsyeton aktvendimin se nëse të pandehurit qëndrojnë në liri, mund të fshihen ose të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së veprave penale dhe dënimit të paraparë me Kodin Penal.
“Të njëjtit mund të arratisen dhe janë të pakapshëm për organet kompetente, andaj kjo shton dyshimin se të njëjtit do t’i shmangen përgjegjësisë penale dhe do të pamundësojnë zhvillimin normal të hetimeve në këtë çështje penale.”
“Po kështu qëndrojnë baza ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet janë në fazë fillestare, do të merren në pyetje të pandehurit, të dëmtuarit, si dhe dëshmitarët eventual, andaj qëndrimi i tyre në liri rrit rrezikun se do të pengojnë rrjedhën normale të kësaj procedure, duke ndikuar te të dëmtuarit dhe dëshmitarët që të ndërrojnë deklarimet e mëhershme”.
Në aktvendimin e gjykatës janë përmendur edhe audio-incizimet e publikuara në Gazetën Sinjali më 25 qershor, në të cilat pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren.
Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/