Gazeta Sinjali dje ka raportuar një vdekje të dyshimtë në rrugën ‘Prespa’ në Prishtinë, ku një burrë u gjend pa shenja jete dhe pranë tij u gjet një armë dhe tri gëzhoja.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Xhevat Gashin, 49-vjeçar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes, pas raportimit të rastit nga Policia.
Sipas mjekëve rasti i vdekjes së 49-vjeçarit ka ndodhur që disa ditë, pasi trupi i tij ishte i kondensuar kur u gjet.
Në vendin e ngjarjes, sipas këtyre burimeve Policia ka gjetur edhe një armë dhe tri gëzhoja të cilat më pas janë konfiskuar nga njësia përkatëse.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Autopsi, ndërsa rasti në Polici, me urdhër të prokurorit është hapur si “vdekje e dyshimtë” dhe kanë nisur hetimet.