Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Prizren pasditen e sotme, ku një person me precedent penal, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij dhe ka kërcënuar me thikë zyrtarët policorë që shkuan ta arrestonin.
Sinjali merr vesh se i dyshuari është Hamza Lubovci, i lindur në vitin 2003.
18-vjeçari njihet si recidivist i veprave penale, si përdorues i substancave narkotike dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, ndodhej në arrest shtëpiak.
Ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij në shtëpinë e tyre dhe kur patrulla policore ka shkuar në vendin e ngjarjes, ai dyshohet se është fshehur pas derës së shtëpisë, e ka mbyllur derën dhe me një thikë kuzhine ka refuzuar t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë, për të shkuar në stacion policor.
Ai po ashtu dyshohet se i ka kërcënuar policët se do t’i sulmojë me thikë, nëse tentojnë të futen brenda dhe se do ta lëndojë veten me thikë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, nga e cila thanë se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë.
“I dyshuari është arrestuar. Nga hetuesi kujdestar është intervistuar viktima dhe i dyshuari në prezencë të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuar ndalohet për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/