image Kush po i kontribuon fatkeqësive në komunikacion/ Grupi me mbi 15 mijë anëtarë që njofton se ku ka radar

Siguri

Kush po i kontribuon fatkeqësive në komunikacion/ Grupi me mbi 15 mijë anëtarë që njofton se ku ka radar

news image

Vetëm gjatë ditës së djeshme pesë persona në Kosovë, në mesin e tyre edhe një 12-vjeçar, humbën jetën në aksidente të trafikut, raporton Gazeta Sinjali.

Mirëpo, as shuarja e familjes katër anëtarëshe nga Shtimja e as vdekja e 23-vjeçarit në vetaksident te “Kroi i Mbretit”, nuk po ndikon në vetëdijësimin e qytetarëve për respektim të rregullave të komunikacionit dhe përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Tash e disa kohë në rrjetin social “Viber”, është formuar grupi “Radari”, i cili deri tani ka mbledhur 15 mijë e 340 anëtarë, të cilët informojnë njëri-tjetrin se ku ka radar dhe patrulla policore.

Madje, në disa biseda që ka siguruar Gazeta Sinjali, organizimi i anëtarëve të grupit për të treguar se ku janë “dajtë” – term me të cilin ata u referohen zyrtarëve policorë, ka vazhduar edhe mëngjesin e sotëm.

“Dajtë me radar në Gjakovë – Prishtinë, në Kijevë”, ka shkruar njëri nga anëtarët në këtë grup.

“Te ‘Kroi i Mbretit’, BMW e kuqe dhe më poshtë i policëve, (magjistralja) Prishtinë – Pejë”, ka alarmuar tjetri.

“(Segmenti) M3 në autostradën Pejë – Prishtinë. Ruhi”, ka paralajmëruar një anëtar tjetër.

Kujtojmë që në korrik të vitit 2019, Policia e Kosovës kishte arrestuar dy themelues të një grupi të tillë në viber./Gazeta Sinjali/