Samedin Mehmeti zyrtarisht u emërua drejtor i Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Mehmeti është pasardhësi i Rashit Qalajt, i cili qe shkarkuar nga ky post nga kryeministri tash në detyrë, Avdullah Hoti.
Qalaj ishte shkarkuar më 16 tetor të vitit 2020 për shkak të performancës.
Samedin Mehmeti që sot u emërua drejtor i Policisë, ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës.
Mehmeti ishte zgjedhur fillimisht zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në janar të vitit 2019, nga ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Mehmeti njihet për një karrierë të gjatë në sektorin e sigurisë, përkatësisht në veprimtarinë policore, duke shërbyer në pozita të ndryshme.
Nisi fillimisht si polic patrullues në stacionin policor “Veriu”, më pas si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës.
Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën e zëvendëskomandantit në stacionin policor “Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.
Gazeta Sinjali më herë pati siguruar edhe regjistrimet e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion. Aty figuronte se ka pasuri në vlerë prej 421 mijë eurosh. Mehmeti pati deklaruar tri shtëpi banimi të cilat kapin vlerën e 118 mijë eurove.