image Kush është i dyshuari që ra në pranga të Policisë një orë pasi theri me thikë tre persona në Podujevë - Sinjali

Kush është i dyshuari që ra në pranga të Policisë një orë pasi theri me thikë tre persona në Podujevë

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një përleshje me thika në fshatin Ballovc të komunës së Podujevës në afërsi të një shkolle, si rezultat i një fjalosje në mes të disa personave, e ku për pasojë disa nga ta kanë pësuar edhe lëndime trupore. I dyshuari për therjen me thikë ndonëse iku nga vendi i ngjarjes në momentin kur Policia arriti të intervenojë, ai nuk e shijoi lirinë gjatë sepse u kap pas një kohe të shkurtër.

Burimet e Gazetës Sinjali nga Prokuroria kanë bërë të ditur se i dyshuari për këtë rast që ra në prangat e Policisë një orë pasi ndodhi ngjarja është Labinot Toverlani, i cili është dërguar në stacion policor për t’iu nënshtruar procedurave ligjore.

Sinjali mëson se i dyshuari u kap në shtëpinë e tij, ku kishte fshehur edhe thikën që e kishte përdorur në përleshjen që rezultoi me lëndimin e tre personave.

Sipas të njëjtave burime, i arrestuari  dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim të rëndë trupor”, për çka pas intervistimit të tij dhe ekzaminimit mjekësor, prokurori i shtetit do të nxjerrë aktvendim për dërgimin e tij në mbajtje.

Ndërkohë, Sinjali mëson se të lënduarit nga kjo përleshje janë dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kanë marrë gjatë sulmit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin