image Kurti: Kosova shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, revokimi i licencës nga BQK është i ligjshëm

Kosovë

Kurti: Kosova shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, revokimi i licencës nga BQK është i ligjshëm

news image

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi paneli i arbitrave ka vërtetuar që institucionet e Kosovës nuk kanë shkelur obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre.

Kurti ka shkruar se Kosova ka shënuar fitoren në arbitrazhin ndërkombëtar, duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve.

“Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti njofton se kompania mikrofinanciare “IuteCredit” kishte paditur shtetin e Kosovës në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, “pretendime këto që u hodhen poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit”.

“Paneli i arbitrave vërtetoi që institucionet tona nuk kanë shkelur ndonjë nga obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre. Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri Kurti ka theksuar se si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë Euro.

“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë Euro”, ka përrfunduar Kurti.

/GazetaSinjali/