image ‘IuteCredit’ humb betejën në Arbitrazh, Mehmeti: Kosova ka fitore të plotë pa asnjë kosto

Biznes

‘IuteCredit’ humb betejën në Arbitrazh, Mehmeti: Kosova ka fitore të plotë pa asnjë kosto

news image

Republika e Kosovës ka fituar rastin ndaj institucionit mikrofinanciar “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ky institucion mikrofinanciar e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh në fillim të vitit 2020 pasi BQK-ja ia kishte revokuar licencën në dhjetor të 2019-s. BQK-ja pretendonte se “IuteCredit” funksiononte me norma të interesit jashtë çdo standardi, raporton Gazeta Sinjali.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha për Gazetën Sinjali, se Kosova ka fituar rastin në të gjitha pikat e kontestuara.

“Kemi një konfirmim që në rastin e IuteCredit kemi një fitore të plotë në të gjitha pikat që janë kontestuar. Republika e Kosovës nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit do të paguhen nga IuteCredit. Kjo tregon shumë për neve si BQK, tregon që vendimet që i kemi marrë, gjithmonë kanë qenë në favor tonin. Kanë qenë vendime të ligjshme dhe kjo tregon që ligjshmërinë e kemi pas gjithmonë prioritet. Deri tani, jo vetëm këtë rast por asnjë rast sa i përket vendimeve gjyqësore, gjithmonë i kemi fitu”, u shpreh ai.

Mehmeti shtoi se “IuteCredit” ka bërë një varg shkeljesh por më e rëndësishmja është ajo e moszbatimit të planit të biznesit. Ai tha se nuk e kanë zbatuar planin të cilin e kanë paraqitur kur kanë kërkuar licencim.

“Ky insitucion i ka pas një varg shkeljesh që në rend të parë ka qenë moszbatimi i planit të biznesit. Kërkesa ka qenë që të zbatohet plani i biznesit të aplikohen normal e interesit dhe në bazë të planit të biznesit dhe normave të interesit në bazë të cilave kemi marrë regjistrimin dhe njëkohësisht nuk është zbatuar plani i biznesit”, tha ai.

Guvernatori i BQK-së shtoi se ky institucion mikrofinanciar kishte norma stratosferike të interesit të cilat nuk ishin në përputhje me ligjet të cilat janë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Ju e dini që kanë apliku norma të interesit mund të themi me 500 për qind, 600 për qind e 700 për qind në raste të caktuara e që kjo ka qenë jashtë planeve të bizneseve që kanë marrë regjistrim dhe kjo ka qenë arseyja kryesore që ne ia kemi heq regjistrimin”, vijoi më tej ai.

Përveç “IuteCredit”, Banka Qendrore e Kosovës kishte fituar rastin edhe ndaj institucionit mikrofinanciar “Monego”.

Ndryshe, “IuteCredit” ishte pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm.

/GazetaSinjali/