Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është duke e ushtruar gjithashtu edhe detyrën e vlerësuesit të protestave në Kosovë. Kësisoj, Sveçla vlerëson se kur një protestë është në kundërshtim me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKSHPK-së, e kur një tjetër nuk bie ndesh me masat e këtyre institucioneve, shkruan Gazeta Sinjali.
Kur aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje po paralajmëronin protestë në sheshet e prishtinës kundër formimit të një qeverie të re, Sveçla po i shihte protestën si e drejtë fundamentale njerëzore. Këtë e përsërisnin edhe zyrtarë tjerë të lartë të LVV-së, duke e përmendur disa herë faktin se njerëzit janë të pakënaqur dhe se kanë nevojë t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.
Edhe më vonë, kur në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit ishin vendosur pika të kuqe në distancën e rekomanduar nga njëra-tjetra duke demonstruar se si mund të mbahej një protestë në kohë pandemie, Sveçla e arsyetoi këtë test-protestë. Madje ai tha se 500 protestuesit e mbledhur në shesh e kishin kohën e tyre të lëvizjes, sipas orarirt të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ishte një provë, instalacion, ku duke e repsektuar distancën e kërkuar.m dhe masat tjera mbrojtëse individë demonstruan. Ishte një përzierje e madhe e shoqërisë civile, pashë edhe aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët bënë një provë për një protestë në të ardhmen. Sipas informatave që i kam, Policia ka bërë verifikimin e numrave të parafundit të letërnjoftimit. Unë çfarë mund të them është se ka pasë edhe skena në televizion dhe janë parë policia duke ua verifikuar numrin. Nuk ka qenë organizim i Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte deklaruar Sveçla para pak ditësh në Rubikon për test-protestën.
Por sot, një protestë e paralajmëruar për të kërkuar hapjen e xhamive, ende pa u bërë lajm, është ndeshur në një reagim të ashpër kundërshtues të ushtruesit të detyrës së ministrit.
Sveçla nxitoi të thotë se kjo protestë e paralajmëruar është kundër vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimeve të IKSHPK-së në dakordim me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Madje ai e akuzoi profesorin Milazim Krasniqi se qëndron prapa këtyre organizimeve, të cilat i portretizoi si të rrezikshme.
“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonimë” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi. I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare”, ishte reagimi i Sveçlës në Facebook.
Para pak ditësh kanë nisur kërkesat për hapjen e xhamive në vend, ndërsa janë pasuar me një peticion të nisur, i cili siç duket e ka nervozuar jo pak Sveçlën. /Gazeta Sinjali/