image Kryetari i Malishevës: Nuk ka shumë furnizim me materiale mbrojtëse kundër koronavirusit

Kosovë

Pandemia/ Kryetari i Malishevës: Nuk ka shumë furnizim me materiale mbrojtëse kundër koronavirusit

news image

Përveç Klinës e Vitisë, dje u izolua edhe Malisheva pasi u konfirmua një rast me koronavirus. Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se nuk kanë mjaftueshëm furnizim me materiale mbrojtëse kundër koronavirusit.

Begaj thotë se stafi mjekësor dhe policia të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz janë të pajisur me maska, por sipas tij nuk kanë për shumë ditë. Sipas Begajt, të martën do të bëhet furnizimi nga Qeveria e Kosovës.

“Maska ne kemi për pak ditë. Ju kemi thënë atyre, zëvendëskryeministri ka thënë se deri të martën do të vijnë furnizimet për Malishevën. Ne kemi për pak ditë për stafin mjekësor, për shumë pak ditë, besoj se do ta kalojmë deri të vijnë. Ju kemi dhënë pak edhe Policisë, do doreza, jo shumë, ata që janë në kontakt drejtpërdrejt besoj se janë të pajisur”, ka thënë Ragib Begaj në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Kryetari i Malishevës ka thënë se vetëm një person është i infektuar nga koronavirusi dhe tri familje të cilat kanë pasur kontakt me personin e infektuar janë në vetizolim. Begaj ka bërë thirrje që qytetarët e Malishevës të jenë të kujdesshëm, por mos të bëjnë panik.

“Na e kanë dërguar vendimin, mbarmë kemi pas kontakt më institutin kombëtar edhe me zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti. Policia i ka marrë hapat e vetë në Malishevë. Deri tani nuk ka njoftim se ka edhe të tjerë të infektuar përveç një rast  është dhe dy-tri familje që janë në izolim, janë në vetizolim që kanë pas kontakt me atë person. Janë në vetë izolim dhe qytetarët duhet me pas kujdes pasi ne kemi pas edhe në të kaluarën pasoja në Malishevë, nëse ne jemi dhe qytetarët janë të dëgjueshëm i përfillin mendimet  tona dje të ekspertëve që po na i japin neve besoj se do ta kalojmë ma lehtë. Nuk është për panik, por të shqetësuar jemi të gjithë”.

Ragib Begaj thekson se ndaj mjekëve dhe policisë duhet të ketë trajnim të veçantë. Ai ka njoftuar se në komunën të cilët e drejton ka mjaftueshëm ushqim dhe furnizime të tjera.

“Nuk ka shumë furnizim, mjekët dhe policia janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe duhet me pas kujdes të veçantë, jo që ata nuk janë të kujdesshëm, por duhet kujdes i veçantë. Ushqim ka mjaftueshëm, nuk ka pas rast që është ankuar, tash është krijuar panik më bë furnizime, po ka panik, nuk është koha për panik por për kujdes, apeloj për kujdes, nëse ne kemi kujdes ne do të kemi më pak pasoja”, ka thënë Begaj.

Vendimi për izolimin e Malishevës u bë pasi u rrit në 5 numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë, e një prej tyre ishte nga Malisheva. Të izoluara janë edhe komuna e Klinës dhe Vitisë. /Gazeta Sinjali/