image Kryetari i Gjakovës: Serbia dëshiron trazira në prag të dialogut

Kosovë

Kryetari i Gjakovës: Serbia dëshiron trazira në prag të dialogut

news image

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka sqaruar situatën e krijuar dhe tensionet të cilat lidhen me kthimin e banores serbe në këtë qytet, transmeton Gazeta Sinjali

Ai ka deklaruar në seancën e Kuvendit Komunal se Dragica Gashiq, posedonte një dokument me të cilin i njihej e drejta e shfrytëzimit të pronës komunale dhe mbi bazën e të cilës ajo ishte vendosur në apartament.

Ai deklaron se nga informatat që ata posedojnë Gashiq kishte punuar vetëm si pastruese në stacionin policor që kontrollohej nga serbët gjatë viteve të 90-ta.

Gjini dyshon se serbja kishte marr instruksione nga shteti i Serbisë që të vinte në Gjakovë dhe kështu do të nxitej shpërthimi i protestave dhe kjo do të shfrytëzohej si argument nga Serbia se shqiptarët po shkelnin të drejtat e serbëve.

“Krejt bota e dinë se Gjakova nuk është vend ku serbët mund të jetojnë për shkak të krimeve që ata kanë bërë. Ajo nuk ka ardhur veq pse një ditë ju ka tek me ardh.  Por, ata kanë prit që ne me u qu në protesta në Rahovec në Pejë në Gjilan dhe një muaj e gjysmë para bisedimeve me dal me një raport që janë disa njerëz të çuditshëm që kanë problem me një plakë dhe nuk e di çfarë kanë me to. Dikujt i ka shku nerva që nuk ka ndodh ajo se çfarë kanë prit  me ndodh”, ka thënë ai.

Kryetari i komunës ka shtuar  se serbja e cila ishte kthyer para disa ditëve në qytet tashmë nuk gjendet në apartament ngase është larguar vullnetarisht.

Ndryshe Kuvendi Komunal i Gjakovës ka miratuar rekomandimin me të cilin i kërkohet kryetarit të komunës që të njoftojë Agjencionin Kosovar për Verifikim të Pronës që konform ligjeve në fuqi të ndjek procedurat dhe të merret vendim që të mos i lejohet shfrytëzimi i pronës komunale, Dragica Gashiq.

Kryetarit të komunës i është rekomanduar që për çdo tensionim të situatës në komunë duhet t’i njoftojë këshilltarët komunal dhe organet e tjera. /Gazeta Sinjali/