Hekuran Rugova, kryetari i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Istog, ka reaguar pas ndalimit të kryetarit të kësaj komune, Haki Rugovës, nga Policia e Kosovës.
Rugova e ka cilësuar të paarsyeshëm dhe të kundërligjshëm urdhrin e Prokurorisë Themelore në Pejë për ndalimin e kryetarit.
“Ndalimi i tij mund të jetë i motivuar nga gjithçka tjetër, për nuk është aspak i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj apo në shkaqe që arsyeton Kodi i Procedurës Penale. Pavarësisht faktit se ai sonte është në cilësinë e të dyshuarit dhe të ndaluarit, në një proces të drejtë dhe të ligjshëm do të provohet se ai është viktimë e një urdhri të kundërligjshëm për ndalim”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se i pari i Istogut do ta ketë gjithmonë besimin e qytetarëve.
“Kryetar, Haki Rugova me punën tënde të madhe, besimin e qytetarëve gjithmonë do ta kesh”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/