Ndërhyrja e kryeministrit Albin Kurti në një proces tenderues po zgjat jetën edhe më tutje të monopolit për furnizim me insulina të shtrenjta.
Një proces dy vjeçar prokurimi po tentohet të mbyllet juridikisht për të hapur rrugë një tenderi të ri një burimor, ku në garë do të jetë vetëm një kompani, kërkesë kjo e sekretarit, por edhe e zyrtareve të zyrës së prokurimit të kësaj ministrie.
Para pakë ditësh Organi shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kishte nxjerrë një vendim ku kishte obliguar Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) ta kthej në rivlerësim tenderin maratonik për furnizim me insulina. Për shkelje të ligjit OSHP-ja kishte gjobitur Ministrinë e Shëndetësisë më 5 mijë euro si dhe kishte kërkuar tërheqjen e licencës për zyrtarin kryesor të Prokurimit të kësaj ministrie.
Por, përkundër kësaj, të enjten zyra e prokurimit ka nxjerr një vendim të ri, në kundërshtim të plotë me vendimin e OSHP-së, ku dy kompanitë të cilat kanë qenë në garë “Meditech” si dhe “Pharma Leader” i ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe ka lënë në fuqi anulimin e këtij tenderi.
Menjëherë pas vendimit me kërkesë të kryeministrit Kurti, të enjten (dje) në orën 16:00 me vendim të sekretarit të ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi është formuar ekipi për ndryshimin e udhëzimit administrativ 02/2014, e ku rreth orës 12 të natës komisioni kanë nxjerrë “formulën” për të zgjatur jetën monopolit për furnizim me insulina të shtrenjta.
Sipas pikës 4.1 të këtij udhëzimi të ri të hartuar nën presion në orët e vona të natës lejohet pa Autorizim Marketing import të produkteve pa paralele për sasi të kufizuar deri në tremijë 3000 kuti brenda vitit dhe nuk tejkalon vlerën prej pesëdhjete mijë 50 mijë euro.
Mirëpo, ndryshimi i udhëzimit administrativ direkt po i hap rrugë vazhdimit të monopolit për furnizim me insulina të shtrenjta.
Në tenderin e hapur në fillim të vitit 2021 për dy lote kompania “Pharma Leader” kishte aplikuar me 5,2 milionë euro, deri sa kompania tjetër “Meditech” për dy lote kishte aplikuar me 5,6 milionë euro, apo rreth 400 mijë euro më shumë.
Procesi është zvarritur deri më tash, pasi që zyra e Prokurimit në vazhdimësi fitues të këtij e kishte shpallur kompaninë Meditech, deri sa oferta e kompanisë Pharma Leader ishte rreth 400 mijë euro më e lirë.
Ndryshimi i udhëzimit administrativ brenda natë nga njohës së sektorit të shëndetësisë po konsiderohet si ndërhyrje direkte e Qeverisë në kontrollimin e këtij tenderi milionësh për furnizim me insulina.
Presion edhe mbi OSHP-në
Burime të besueshme të “Front Online” bëjnë të ditur se zyrtare të zyrës së kryeministrit kanë bërë presion të vazhdueshëm edhe mbi anëtaret e bordit të OSHP-së ku nga ta është kërkuar tërheqje e vendimit. “Dikush nga zyra e kryeministrit kanë kërkuar nga bordi i OSHP-së tërheqjen e vendimit për tenderin për furnizim me insulina” bëjnë të ditur burime të besueshme të Front Online”.