image Krejt çka ndodhi në aksionin e sotëm të IPK-së, gjatë të cilit u arrestuan 8 zyrtarë policorë

Siguri

Krejt çka ndodhi në aksionin e sotëm të IPK-së, gjatë të cilit u arrestuan 8 zyrtarë policorë

news image

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Inspektorati Policor i Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, asistuar nga NjRSH ka zhvilluar një aksion për arrestimin e tetë zyrtarëve policorë, shkruan Gazeta Sinjali.

Të arrestuarit

Arrestimi i tyre u bë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike”, “Ushtrimi i ndikimit”, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancës narkotike”.

Aksioni filloi në Stacionin Policor – Jugu, në të cilin u arrestuan gjashtë zyrtarë policorë, për të vazhduar më pas edhe në lagjen “Taslixhe” dhe në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku u bastisën shtëpitë e dy zyrtarëve policorë, të cilët u prangosën po ashtu.

Çka i parapriu aksionit?

Ky aksion u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e cila Sinjali mëson se ka ofruar asistencë teknike dhe informacion të vlefshëm për zbatimin e suksesshëm të masave hetimore të vëzhgimit, si dhe provave të nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të veprave penale për të cilat dyshohen zyrtarët e arrestuar.

Bashkëpunimi i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë duket se është intensifikuar dhe për këtë ishte zhvilluar edhe një vizitë e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Samedin Mehmeti te kryeshefi i inspektoratit, Kushtrim Hodaj.

Për këtë takim madje, policia kishte lëshuar edhe komunikatë për media.

Në komunikatën e cila mban datën 3 mars thuhej se Mehmeti dhe Hodaj kanë diskutuar për çështje që ndërlidhen me fuqizimin e integritetit policor, ngritjen e nivelit të disiplinës si dhe imazhit policor.

Mehmeti dhe Hodaj citohen të kenë thënë se mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore nga ana e policisë në mënyrë profesionale për të gjithë qytetarët e vendit.

Të dy palët po ashtu ishin zotuar se për qëllim të ofrimit të një shërbimi policor më efikas dhe cilësor, nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore dhe do të trajtohet secili pretendim i qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në këtë takim ishte diskutuar edhe planifikimi i policisë për realizimin e projekteve për vendosjen e pajisjeve të kamerave të trupit për punonjësit policorë dhe projektit i cili tanimë është në implementim rreth vendosjes së kamerave në stacione policore si projekte që bartin kosto financiare, por, që konsiderohen shumë të rëndësishme me qëllim të ngritjes së transparencës, ngritjes së nivelit të displinës dhe menaxhimit më efikas.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/