image KQZ: Deri tash vetëm Zubin Potoku ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit

Politikë

KQZ: Deri tash vetëm Zubin Potoku ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani vetëm nga Zubin Potoku kanë marrë kërkesën me nënshkrimet e mbledhura tash e disa ditë nga qytetarë e katër komunave veriore që nisën mbledhjen e tyre për peticionet që kërkojnë shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikohet lista e nënshkrimeve.

“Deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, ka thënë ai.

Sipas Udhëzimit Administrativ, që u nxor nga Qeveria e Kosovës, për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 janar. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

/GazetaSinjali/