image Kosovarët përdorues e kultivues të mëdhenj të narkotikëve – Për 1 vit mbi 1 mijë të arrestuar

Sociale

Kosovarët përdorues e kultivues të mëdhenj të narkotikëve – Për 1 vit mbi 1 mijë të arrestuar

news image

Ndonëse janë ilegale, në Kosovë po përdoren mjaft shumë substancat narkotike, përfshirë marihuanën, kanabisin, heroinën e ekstazinë, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar shifra të përdorimit të tyre, të kultivimit, të të arrestuarve, e madje edhe të ngritjes së kallëzimeve penale.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali tha se në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë në vitin 2020 ka iniciuar gjithsej 1,005 raste të reja, ka arrestuar 1,144 persona dhe ka përcjellë 714 kallëzime penale ndaj 938 të dyshuarve.

Prej tyre, për trafikim janë regjistruar 170 raste, janë arrestuar 276 persona dhe janë ngritur 185 kallëzime penale ndaj 284 personave të dyshuar.

Për posedim të drogave, siç mësoi Sinjali, janë regjistruar 802 raste, janë arrestuar 847 persona të dyshuar dhe janë ngritur 508 kallëzime penale ndaj 633 personave të dyshuar.

Për kultivim janë regjistruar 33 raste, janë arrestuar 21 persona të dyshuar dhe janë ngritur 21 kallëzime penale ndaj 21 personave të dyshuar dhe 1 rast është iniciuar për droga të tjera.

“Nga numri i përgjithshëm i rasteve, për heroinë janë iniciuar 37 raste dhe janë arrestuar 48 persona, për kokainë janë regjistruar 38 raste dhe janë arrestuar 70 persona, për marihuanë janë iniciuar 898 raste dhe janë arrestuar 1,005 persona, ndërsa janë iniciuar 33 raste dhe janë arrestuar 21 persona për kultivimin e bimëve të kanabisit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Sinjali.

Po ashtu, janë konfiskuar 9 kilogramë e 803.65 gramë heroinë, 2 kilogramë e 676.85 gramë kokainë, 225.42 gramë ekstazi, 256 kilogramë e 717.9 gramë marihuanë dhe 5622 bimë kanabis.

Neni 3 i Ligjit nr.02/L-128 për substancat narkotike, thotë se ndalohet çdo lloj veprimtarie me bimët narkotike përveç për qëllime të hulumtimeve shkencore, edukative dhe policore, gjithashtu, ndalohet kultivimi e përdorimi i tyre.

Po ashtu, me ligj ndalohet shitja, qarkullimi, importi, eksporti, transporti, blerja, furnizimi dhe posedimi i të gjitha substancave narkotike.

Sinjali ka mësuar se Policia e Kosovës ende nuk posedon raportin periodik të këtij viti lidhur me shifrat e përdoruesve, kultivuesve e të arrestuarve për narkotikë./Gazeta Sinjali/